spot_img
HomeDebate të SigurisëLufta parandalohet e fitohet me NATO-n dhe për NATO-n

Lufta parandalohet e fitohet me NATO-n dhe për NATO-n

Serbia, dukshëm, synon të pengojë mundësinë e arritjes së një marrëveshje me Kosovën, e të në cilën domosdoshmërisht do të pranonte se Kosova ekziston si shtet dhe jashtë juridiksionit të saj.

Këtë synim dëshiron ta realizojë përmes Kosovës dhe duke fajësuar këtë.

Kosovnuk paraqet më “konflikt të ngrirë” derisa lufta realisht nuk ka përfunduar, por as nuk bën të kthejë veriun e saj në një gjendje të ngrirë. Investimi për të gjetur zgjidhje politike për marrëdhëniet midis shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë është dukshëm më i fokusuar në këtë vitin e fundit. Sot, shumë prej rasteve të njohura të konflikteve të ngrira – që për dekada me radhë kanë qenë të sponsorizuara nga Rusia – po “shkrihen” në rrjedhë dukshëm të shpejtë. Në veçanti pas tronditjes së merituar të Rusisë. Prandaj, një “ngrirje e re e pjesshme territorialisht” do t’i përshtatej Rusisë së thyer këmbësh, por me buton të kuq afër dorësh.

Në lëshim eventual të momentumit ndërkombëtar e euro-atlantik, ideja e “Luftës” dhe ideja “Ngrije veriun, shkriji të tjerat” edhe mund të rikthehen si kërcënim real. Derisa lufta si kërcënim ka përgjigjen “ne mbrohemi bashkë me NATO-n”, ideja e “ngrirjes së veriut” parandalohet me kujdesin dhe veprimet e përbashkëta në arritje të qëllimeve të përbashkëta.

Lufta parandalohet e fitohet me NATO-n dhe për NATO-n

Gjenerali James Mattis ka thënë: “Asnjë luftë nuk përfundon derisa armiku të thotë se përfundoi. Ju mund të mendoni se ka përfunduar, mund ta shpallni të përfunduar atë, por në fakt, armiku e ka një votë aty”. Dhe, është krejtësisht e qartë se saherë që Serbia çon në ajër aeroplanët luftarakë – sado që shumicën e tyre të lodhur i ka – ajo në të vërtetë është duke luajtur në “votën” e vet për mospërfundimin e luftës.

Kjo – jo që nuk është e njohur – duhet të argumentohet në secilin nivel të secilit shtet anëtar të NATO-s dhe BE-së, përmes një kampanje profesionalisht të përgatitur diplomatike të Kosovës, e që dorën në zemër është një prej sektorëve që ka mrizuar pakuptimshëm dhe kësht

u po dëmton momentumin e të vërtetës së Kosovës. Një model argumentimi i këtillë është dëshmuar i suksesshëm në aktivitetet informuese për planin e tranzicionit të FSK-së në mandat ushtarak, në vitin 2018.

Sido që të jetë, me apo pa aeroplanë efektiv të Serbisë në kufijtë verior të Kosovës, edhe parandalimi, edhe mbrojtja e Kosovës bazohet dukshëm në aftësinë tonë për të bashkëpunuar me NATO-n.

Sikurse Sun–Tzu në “Arti i Luftës” para rreth 2500 vitesh ka thënë: “Arti i Luftës na mëson të mbështetemi jo në mundësinë që armiku nuk vjen, por në gatishmërinë tonë për ta pritur; jo në shancën që ai nuk na godet, por mbi faktin se kemi bërë pozicionet tona të pamposhtura”. Pozicionet tona të pamposhtura janë me NATO-n. E për të përforcuar edhe më tutje parandalimin e luftës, këto pozicione të pamposhtura duhet të jenë edhe për NATO-n.

Se nuk mbrohemi vet, është politikë nacionale e sigurisë e normuar në dokumentin më të lartë të politikave të sigurisë. “Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial realizohet në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me praninë e trupave ushtarake ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO-ja dhe me partnerët strategjikë të Kosovës.” (Strategjia e Sigurisë së Kosovës, fq. 11 – miratuar më 25 tetor 2022).

Pra, vetëm dy muaj e gjysmë më parë, udhëheqja e Qeverisë dhe më pas edhe Kuvendi tha, ndër të tjera, se mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial realizohet në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me NATO-n dhe me partnerët strategjikë. Prandaj, secila kërkesë publike për të thelluar koordinimin dhe bashkëpunimin e plotë është në vijë me këtë. Tek e fundit, është në vijë me të atë që Gjenerali Mattis i ka quajtur “fakte brutale”.

Dhe, faktet brutale të Kosovës në këtë dimension përfshijnë pretendimin territorial të Serbisë, pavarësisht se Qeveria përmes Strategjisë së Sigurisë së Kosovës e ka vlerësuar si “të ulët” mundësinë e një sulmi konvencional ushtarak të Serbisë, porse ka identifikuar se Serbia e ka bërë të qartë qëllimin e saj për mundësinë e ndërhyrjes. (Strategjia e Sigurisë së Kosovës, fq. 7-8).

Prandaj, politika e sigurisë që “ne mbrohemi bashkë me NATO-n” duhet domosdoshmërisht të nënkuptojë që ne e dëshmojmë se ndajmë dhe promovojmë vlerat e njëjta dhe që sulmi ndaj nesh është sulm ndaj vlerave të promovuara nga NATO-ja. Dhe, sigurisht, ne nuk udhëzojmë NATO-n se si të interpretojë këto vlera. Edhe kur kjo nënkupton argumentimin rreth kërkesës së NATO-s “për t’u përmbajtur nga veprimet provokuese të të dy palëve”. Dorën në zemër, deklarimet e tilla të partnerëve tanë më shumë flasin për ngecjen tonë në argumentim, veprim e koordinim sesa për arritjet e Serbisë në luftën hibride.

Tek e fundit, çështjen e veprimit të Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake (që udhëhiqet nga NATO) e kemi të kodifikuar në Kushtetutën e Kosovës. Në Nenin 153, ndër të tjera precizohet se “Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute, Prania Ndërkombëtare Ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007. … Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka jurisdikcion të rishikojë, të pakësoj ose përndryshe të kufizoj mandatin, kompetencat dhe detyrimet e referuara në këtë nen.”

Burim Ramadani, 17 janar 2023

spot_img

latest articles

explore more