spot_img
HomeBallkan“Doktrina Gerasimov” - Ballkani Perëndimor në vështirësi përballë Rusisë

“Doktrina Gerasimov” – Ballkani Perëndimor në vështirësi përballë Rusisë

Kur themeluesi i termit “Doktrina Gerasimov”, Mark Galeotti, kishte emërtuar kështu fjalimin e ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë Ruse, Gjeneral Valery Gerasimov në vitin 2013, kryesisht ishte analizuar për idetë ruse të ndikimit të ardhshëm jashtë territorit të vet. Por, në të vërtetë, duket se Gerasimov ka treguar se çka do të ndodh saktësisht, thotë Galeotti, tashmë në vitin 2018.

Nëse Perëndimi si sistem vlerash sot e ka të vështirë të përballet me gjithçka që synon dhe tenton Rusia, sigurisht se zonat gjeografike me probleme më të mëdha të brendshme e kanë pothuajse të pamundshme të ndërtojnë mekanzima pritës të suksesshëm. Lindja e Mesme, Kaukazi, një pjesë e Evropës Lindore (postkomuniste), vendet Baltike dhe Ballkani Perëndimor janë vazhdimisht në hall me ndërhyrjet direkte ruse apo të tërthorta përmes lidhjeve tradicionale.

Çka realisht synon Rusia?

Mbi të gjitha, thonë disa prej studiuesve, synon tri elemente kryesore: delegjitimim, destablizimin, përçarjen.

  • Delegjitimimi kuptohet si proces i rritjes së konfuzionit institucional, publik, shoqëror dhe ekonomik. Mund të shpjegohet edhe si zvogëlim deri në zero të besimit publik për proceset demokratike dhe specifikisht në vendet që ende mundohen të konsolidojnë demokracinë. Nxitjen e konfuzionit deri në pikën ku që synohet që askush (si institucion, individ apo grup elitar e shoqëror) të mos ketë kredibilitet në shoqërinë ku qeveris apo qeveriset.
  • Destabilizimi është një mënyrë e sjelljes/ndikimit ku jo domosdoshmërisht siguria përkeqësohet, por patjetër se çrregullohen prioritetet shoqërore e politike, situata ekonomike, qëndrueshmëria institucionale dhe nxiten idetë për sjellje alternative. Nëse kjo bëhet përmes duke shfrytëzuar dobësitë reale të shteteve veç e veç, në fakt vetëm i lehtëson punon ‘skuadrave’ të luftës së informacionit. Raste të tilla ka pasur nëpër shumë vende në Evropë, sidomos pas fluksit të madh të refugjatëve nga Lindja e Mesme në vitet e fundit. Nxitja e popullizmit, si shembull, ka qenë vetëm njëra prej ndërhyrjeve krejtësisht direkte dhe destabilizuese në shoqëritë e vendeve evropiane.
  • Përçarja kryesisht ndërlidhet me situata tejshtetërore, duke synuar kështu vendosjen e vijave/politikave ndarëse dhe përçarëse midis shteteve aleate, të cilat paraprakisht ishin pajtuar për politika të përbashkëta apo të përafërta në çështje të caktuara. Kësisoj, Evropa edhe më tutje përballet me situatë të ngjashme. Dëmtimi i dukshëm i solidaritetit në Evropë sigurisht se i kthen vëmendjen fuqisë ruse.

Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor është një prej rajoneve direkt të synuara të luftës informative ruse. I mbërthyer me problemet e pazgjidhura të së kaluarës së përgjakshme, me sfidat e vazhueshme të konsolidimit të demokracisë, me vështirësitë ekonomike dhe me ndarje e tensione politike, Ballkani Perëndimor është dukshëm i mundshëm për rritjen e vazhdueshme të konfuzionit, mosbesimit dhe delegjitimimit.

Asnjëherë sikurse sot nuk ishte më i domosdoshëm përkushtimi i përbashkët perëndimor për forcimin e shtetësisë dhe demokracisë në shtetet ballkanike. Kur aleatët (vendet e Ballkanit) janë të forcuara, sigurisht se kjo është në të mirën e dyanshme.

Vendet pro-Perëndimore në Ballkan e kanë të vështirë të përballen si të vetme. Ballkani e ka të vështirë të qëndrojë i vetëm përballë Rusisë. Mund të zhytet edhe më tutje në konfuzion.

6 qershor 2018 botuar në mediat kosovare

spot_img

latest articles

explore more