Burim Ramadani
Ligji për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën është miratuar në korrik të 2018 në Kuvend të Kosovës. Ky Ligj ka gjithësejt 21 nene, ndërsa në Nenin 7, paragrafi 1 në 6 pika përcakton themelimin e Policisë për Kryeqytetin, Prishtinën.
Deri më tash, pra më shumë se 5 (pesë) vite, kjo nuk është funksionalizuar.
Arsyet mund të jenë të ndryshme, por besoj se është e domosdoshme që të tejkalohet cilado prej tyre për të themeluar dhe funksionalizuar Policinë për Kryeqytetin.
Nevoja për të themeluar Policinë Komunale të Prishtinës është artikular me vite e vite me radhë. Qysh në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, organet komunale të Prishtinës kanë theksuar dhe artikuluar publikisht vlerësimin për ndihmesën që do t’i bënte Prishtinës nëse ekziston Policia për Kryeqytetin.
A duhet të ketë Prishtina një mekanizëm shtesë për zbabtimin e vendimeve e veta nën juridiksionin komunal? Çka do të ndihmonte Komunën e Prishtinës për zbatimin më efektiv dhe më autentik të vendimeve të veta?
Këto dhe shumë pyetje të tjera janë bërë për vite me radhë dhe shtruar shumë e shumë herë në opinionin publik në Kosovë, derisa përfundimii i përgjigjeve rreth nevojës për themelimin e Policisë për Kryeqytetin është dhënë me Ligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën, në korrik 2018.
Por, edhe më tutje nuk kemi parë veprime që funksionalizojnë Pooicinë për Kryeqytetin.
Duke u bazuar në përgjegjësinë dhe mandatin e Policisë së Kosovës dhe njëkohësisht ngarkesës së madhe me detyra në baza ditore që nuk përkojnë me mandatin e saj, Policia e Kosovës përballet me domosdoshmërinë e alokimit të personelit të saj dhe shfrytëzim joprimar policor të burimeve te saja.
Si pasojë, Policia e Kosovës ndodh që të përballet me mungesë të burimeve të mjaftueshme njerëzore për të kryer detyrat e saja primare në funksion të zbatimit të rendit dhe ligjit, parandalimit dhe luftimit të krimit të të gjitha natyrave.
Prandaj mbingarkesa e Policisë së Kosovës në zbatimin apo ofrimin e ndihmesës në zbatimin e vendimeve komunale të Kryeqytetit, do të mund të pakësohej nëse funksionalizohet dhe sa më parë që funksionalizohet Policia për Kryeqytetin, ashtu sikurse e ka përcaktuar Ligji.
Çka bën Policia për Kryeqytetin?
Policia e Kryeqytetit duhet ta ketë për detyrë të kryejë funksione në shërbim të rendit e të qetësisë dhe sigurisë publike dhe mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit dhe juridiksionit të Komunës, që nuk janë në kompetencë të autoriteteve të tjera shtetërore.
Ja 11 (njëmbëdhjetë) detyra për të cilat unë besoj se Policia për Kryeqytetin do të dyhej t’i kryente në ndihmën që i ofron Kryeqytetit të Kosovës:
- Zbatimin efektiv të akteve të nxjerra nga Kryetari i Komunës dhe Kuvendi Komunal, e që kanë të bëjnë me sigurimin e rendit e të qetësisë dhe mbarëvajtjen e punëve publike.
- Të marrë masa për ruajtjen e pasurisë të komunës, si dhe të atyre që administrohen nga ana e Komunës.
- Të sigurojë zbatimin e urdhërave të nxjerra nga Kryetari i Komunës në lidhje me personat juridik e fizikë, që nuk plotësojnë konform ligjit detyrimet financiare e fiskale ndaj Komunës, si dhe çdo detyrim tjetër pasuror ndaj tyre.
- Reagimin në rastet e shkeljeve ligjore për zënien e hapësirave publike apo tregti e paligjshme, vendosjen e reklamave, tendave, dëmtimin e sipërfaqeve të gjelbërta, trotuareve, ndriçimit publik, ndotjen e mjedisit etj, si dhe ndëshkimin e kundërvajtësve me gjobë.
- Të asistojë në parandalimin, pezullimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.
- Të mbështesë Inspektoratin në zbatimin e vendimeve për prishjen e ndërtimeve pa leje, objekte që kanë penguar punimet në infrastrukturën rrugore.
- Të lirojë objektet që janë pronë e komunës, kopshte, biblioteka, ish- ndërmarrje etj. të zëna nga persona të ndryshëm në mënyrë abuzive.
- Konstatimin dhe ndëshkimin e shkeljeve në drejtimin dhe parkimim e automjeteve që nuk respektojnë kërkesat e ligjit për rregullimin e trafikut.
- Ndalimin e shitjes në rrugë dhe lëmoshë-kërkuesve.
- Të mbikëqyrë respektimin e orarit të punës të objekteve hoteliere dhe objekteve të tjera që mund të prishin qetësinë e qytetarëve.
- Të kontrollojë nëse qytetarët bëjnë pastrimin e dëborës dhe akullit para shtëpive të tyre, ndërtesave dhe hapësirë komerciale.
Si qeveriset Policia për Kryeqytetin?
Është çështje e cila rregullohet me ligje në Kosovë dhe me standardet demokratike të qeverisjes së sektorit të sigurisë. Përgjegjësitë komunale në lidhje me Policinë për Kryeqytetin ndërlidhen me Kryetarin e Komunës dhe Drejtorinë për Siguri që tashmë veç është themeluarvnë Komunën e Prishtinës.
Ndërkaq, përgjegjësitë e performancës dhe të zinxhirit komandues ndëridhen ashtu sikurse e përcakton Ligji për Policinë e Kosovës dhe Ligji për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën.
Policia për Kryeqytetin, Prishtinën, do të duhet të ketë po ashtu edhe mbikëqyrjes demokratike civile dhe mbikëqyrje publike.
Kështu, Asambleja Komunale duhet të themelojë Komision të veçantë për Mbikëqyrjen e Drejtorisë dhe Policisë për Kryeqytetin, duke arritur të mbikëqyrë edhe në aspektin e politikave, edhe të menaxhimit e administrimit, edhe të aspektit financiar, edhe të aspektit të ligjshmërisë së aktiviteteve.
Policia për Kryeqytetin dhe Drejtoria përkatëse duhet të jetë e hapur për mbikëqyrje publike, nga mediat, shoqëria civile, Auditori, sikurse edhe nga Ombudspersoni.
Ndërlidhja me Policinë e Kosovës
Sikurse përcaktohet me Ligj, Policia themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit.
Ndërkaq, Kryetari i Kryeqytetit pas aprovimit nga Kuvendi i Kryeqytetit i propozon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, minimumin dy (2) kandidatë për Drejtorë të Drejtorisë së Policisë për Kryeqytetin.
Në përgjithësi, nuk shihen vështirësi reale në komunikimin, ndër-veprueshmërinë dhe realizimin e mandatit të Policisë për Kryeqytetin.