spot_img
HomeDebate të SigurisëSiguria është parakusht për suksesin e dialogut

Siguria është parakusht për suksesin e dialogut

Lidershipi i Kosovës të rikthejë të menduarit strategjik, për të bërë Kosovën e sigurt dhe optimiste, në vend se të kalojë kohën duke fajësuar dhe arsyetuar, si dhe duke kapur institucioneve dhe skanuar partiakisht individët.

 

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të largojë dimensionin e sigurisë.

Këtë mbi të gjitha do të duhej ta kishte parasysh faktori ndërkombëtar derisa lidershipi i Kosovës do të duhej të investojë në strategji të mirëfilltë për të arritur suksesin.

Sepse, vetëm një qartësim i padilemë ndaj Serbisë nga faktori ndërkombëtar mund të vendos dialogun në rrafsh politik, jo të sigurisë.

Ndërsa, vetëm një qasje strategjike e Kosovës mund të ndërtojë platformën vepruese që i ofron vendit edhe sigurinë, edhe prosperitetin.

Normalisht që duhet fokusuar në mekanizmat që e bëjnë Kosovën më të sigurt dhe më optimiste.

 

Garanca për sigurinë e Kosovës

 

Kosova ka nevojë për më shumë garanca në rrugën e saj drejt NATO-s.

Dhe, në të njëjtën kohë, ka domosdoshmëri të përmbush listën e kritereve politike, juridike, operacionale dhe të tjera për të avancuar në këtë rrugë.

Në vend se të merret me kapjen e institucioneve, skanimin partiak të individëve kontribut-dhënës, dobësimin e institucioneve përmes njerëzve pa përvojë institucionale, narrativin përçarëse përmes thashethemeve, lidershipi i Kosovës do të duhej të fokusohet në strukturimin dhe kornizimin e komunikimit strategjik, argumentimin e arritjeve shtetërore, evidentimin e nevojave dhe kërkesave, si dhe planifikimin dhe lobimin për një stad më të avancuar me NATO-n.

Sepse, ‘Ndërveprimi i Zgjeruar’ nuk është i mjaftueshëm.

Ky program ekzistues nuk arrin të përmbledh nevojat e Kosovës për hapa zyrtarë dhe të pakthyeshëm drejt NATO-s.

Sa më shpejt që Kosova kalon në nivel të Dialogut Politik me NATO-n, merr ftesën për Planin e Veprimit për Anëtarësim, dhe merr pjesë në Partneritetin për Paqe, aq më shpejt dimensioni politik mbizotëron atë të sigurisë.

Derisa shqetësimet e sigurisë mbeten prioritare, përmes kërcënimit direkt dhe të përditshëm që bën Serbia kundër Kosovës, është vështirë të besohet se një zgjidhje europiane do të gjendet së shpejti.

Po, pa asnjë dilemë Kosova ka nevojë të rikthejë të menduarit strategjik, gjë që dukshëm është vënë në konfuzion institucional.

 

Lidershipi i Kosovës të mos vetë-kënaqet me taktika!

 

Lidershipi i Kosovës ka për obligim t’i sjellë Kosovës fitore, jo ndëshkime. Avancim, jo izolim. Anëtarësim në organizata, jo masa ndëshkimore.

Në këtë obligim, lidershipi i Kosovës nuk duhet të vetë-mjaftohet dhe vetë-knaqet me taktika. As me veprime ad hoc.

Strategjia jonë vepruese duhet që:

– edhe të ndalojë qëllimet jomiqësore të Serbisë,

– edhe të mos lejojë prishjen e marrëdhënieve ndëretnike,

– edhe të thellojë bashkëpunimin me NATO-n,

– edhe të parandalojë luftën,

– edhe të mos lejojë “ngrirjen e veriut”.

 

E qartë në formulim, e shtresëzuar në veprim, e detajuar në koordinim.

 

Kështu sikurse ka ndodhur deri më tash, rrezikojmë që sërish dhe sërish të mbesim në rrethin e njëjtë të veprimeve, fajësimeve dhe arsyetimeve.

– Kosova të mbetet nën masa ndëshkuese dhe paralajmëruese për sanksione,

– Veriu të mbetet gradualisht një zonë e ngrirë ku asgjë nuk funksionon, por zona më e militarizuar në Ballkan,

– Serbia të thellojë qëllimin e vet për dëmtim të marrëdhënieve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar,

– Serbia të vazhdojë të nxis serbët e Kosovës kundër shtetit dhe rendit kushtetues këtu,

– KFOR-i të shtojë trupat për të menaxhuar zonën e konfliktit,

– EULEX-i të vazhdojë të fuqizohet në numër dhe operacione,

– Lidershipi i Kosovës të vazhdojë të tregojë se faktori ndërkombëtar nuk është krejtësisht i drejtë ndaj nesh,

– Opozita të diskutojë mes vete nëse duan të kenë mocion apo komisione hetimore apo interpelanca parlamentare,

– Qytetarët e Kosovës të presin kur po vjen 1 janari 2024 që të gjejnë mundësi më shumë për të ikur nga ky vend!

spot_img

latest articles

explore more